Rajoni i Kotorit

Rajoni i Kotorit

Natyrë, Kulturë dhe Histori

Rajoni i Kotorit, Mali i Zi

kthehu pas
    Rajoni natyror, kulturor dhe historik i Kotorrit është pjesë e gjirit tërheqës të Boka  Kotorska, një liman unik natyror në lindje të bregut Adriatik të Malit të Zi. Në saje të vlerave të jashtëzakonshme, universale, rajoni u fut në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s më 1979. Më 2011, zona neutrale e rajonit u përcaktua si përfshirëse e gjithë gjiut. Rajoni natyror, kulturor dhe historik i Kotorrit është një kombinim harmonik me diversitet fenomenesh natyrore dhe të trashëgimisë së krijuar nga dora e njeriut. Përveç  gjirit të Kotorrit dhe Risanit si zona të  mbrojtura, gjiri Boka  Kotorska përfshin gjithashtu gjiret e vegjël të Tivarit dhe Herceg Novit. Me tiparet e tij të larmishme dhe unike natyrore, gjeografike, historike dhe kulturore, gjiri Boka  Kotorska është një peizazh kulturor me vlera universale të jashtëzakonshme.
Qyteti i Kotorit me malin e Shen Ivanit    

Karakteristikat natyrore të Boka Kotorska 

Boka  Kotorska K gjeografikisht një luginë lumi, e zhytur dhe e fundosur nga aktiviteti tektonik. Tiparet e saj morfologjike – veçanërisht dhëmbëzimet vertikale dalluese – e bëjnë atë një gji unik në Mesdhe. Boka Kotorska  shtrihet në 29 km sipëfaqe tokësore; e rrethojnë male të thepisur gëlqerorë të Alpeve Dinarike, me pikën më të lartë Malin Orjen (1895 m) dhe Malin Llovqen (1749 m), një nga pesë parqet kombëtare në Malin e Zi. Thellësia maksimale e gjirit është 52 m. Rajoni në brendësi të vendit është një zonë tipike karstike me morfologji dhe hidrologji të spikatur. Malet përreth janë kryesisht me përbërje gëlqerore, me struktura  të shumta karstike, si shpella, gropa, kratere etj. Ndërsa pjesa bregdetare përbëhet nga shkëmbinj sedimentarë. Karakteri karstik i zonës ka ndikuar edhe në hidrologjinë e saj. Një sërë burime karstike shfaqen në nivelin e detit (Skurda, Gurdiç, Ljuta), gjithashtu ka edhe burime të fshehura mbi nivelin e detit (Sopot 33m) dhe zgavra burimesh brenda shtratit të detit. Një zone  e veçantë e rajonit të  Kotorrit (Cërkvica 1097 m)  përfton sasirat me të mëdha të shiut në Europë (5155 mm). Megjithatë,  për shkak të relievit karstik një pjesë e madhe e ujit  kullon, grumbullohet  nentoke, duke krijuar rrugë nënujore, të cilët dalin në nivelin e detit ose më poshtë, duke ulur kripëzimin e ujit të detit por dhe duke shtuar thatësirën e  tokës. Në sajë të dhëmbëzimeve vertikale të sipërshënuara, kjo zonë paraqet një shumëllojshmëri klimash që varjojnë  nga mesdhetare në subalpine, gjë që reflektohet në diversitetin e vegjetacionit

 

Historia e Boka Kotorska 

Karakteristikat e mrekullueshme natyrore, pozicionimi i favorshëm gjeografik dhe zhvillimi i trazuar historik i kombinuar me ndërhyrjen e dorës së njeriut ka krijuar një peizazh fantastik kulturor.
 
 
Perast  

 

 

 
Ndikimet e shumta nga të gjitha anët e Mesdheut, si nga lindja dhe nga perëndimi, e kanë bërë Boka Kotorskën një vend takimi  kulturash të ndryshme. Këto janë asimiluar më kulturën vendase  indigjene  dhe janë përzier me  shpirtin e vendasve, duke krijuar një identitet unik kulturor. Industria njerëzore është përfshirë me ndjeshmëri të lartë në mjedisin natyror të bregdetit të Bokas – duke krijuar një shkrirje  të pësosur në këtë peizazh mbresëlënës. Jeta në zonën e Kotorrit, e cila daton që nga periudha parahistorike, mbart gjurmë  transformimesh  të mëdha historike të shkaktuara nga rregulla dhe administrime të ndryshme. Në një shpellë mbi Perast janë gjetur artefakte nga periudha Neolitike, kurse në një shpellë në Lipci, afër Morinit është gjetur vizatimi i një dreri që daton nga periudha e mesme e bronzit. Nga shek. 4 dhe më tej  kjo  trevë zotërohej nga  ilirët. 
 

Gjatë periudhës Ilire, në Boka u themeluan  dy qytete: Risani, rezidenca kryesore e mbretëreshës ilire, Teuta, prej  të cilës u emërtua i gjithë gjiri si Sinus Rhizonicus (Gjiri i Risanit); dhe qyteti Acruvium, i përmendur në shekullin e parë pas Kr. nga Plini i Vjetri , i cili mendohet  të ketë qënë në zonën e Kotorrit të tanishëm. Romakët pushtuan Ilirinë në vitin 168 para Kr., duke sunduar Bokën më shumë se 500 vjet. Pas rënies së Perandorisë Perëndimore Romake (viti 467 pas Kr.), Boka u bë pjesë e Perandorisë Lindore Romake (Perandoria Bizantine). Nga fundi i shek. 6 dhe fillimi i shek. 7, fiset sllave u vendosën në këtë rajon, duke çuar në sllavëzimin e Kotorrit deri në shek. 10. Sundimi Bizantin zgjati deri më 1185, me periudha të shkurtra qeverisieje  të familjes Vojislavlević, drejtuesit e shtetit sllav Duklja (Doklea). 

 

Prčanj   Pavarësisht ndryshimeve të shpeshta të pushteteve – deri në shek.19, ky rajon ishte subjekt i tetë transformimesh politike të sjella  nga  qeveritar  të huaj dhe vendas – qyteti i Kotorrit dhe rajoni i Bokës vazhduan të lulëzonin. Kjo ndodhi për shkak se qyteti kishte një autoritet të fortë të pushtetit vendor, të themeluar në periudhën romake, dhe me ndikime të vazhdueshme mesdhetare që  rregullonin  të gjitha aspektet e sistemit ekonomik, politik dhe klerik. Zhvillimi i Kotorrit dhe rajonit të tij varej nga lundrimi dhe tregtia. Zgjerimi i parë i madh ndodhi gjatë drejtimit të shtetit serb mesjetar të Rashkës,  nga viti  1185 deri në 1371, kur Kotorri u bë porti kryesor i mbretërive serbe dhe një port i begatë  lidhjesh  tregtare dhe transportesh midis Ballkanit dhe pjesës tjetër të Mesdheut. Nga viti 1371 deri më 1384, ky rajon ra nën sundimin e mbretit hungarez-kroat, Ludovikut I. Nga viti 1384 deri më 1391, ai u sundua nga mbreti boshnjak, Tvërtko I. Dhe që atëherë deri më 1420, ai ishte një qytet-shtet i pavarur. Në vitin 1420, i rrezikuar nga turqit osmanë, të cilët i kishin pushtuar territoret fqinje, Kotorri kërkoi mbrojtje nga Republika Venedikase dhe mbeti nën sundimin venedikas deri më 1797. Kjo periudhë shënon një rritje  të dytë të fuqisë  së tregtisë detare në këtë rajon, ku  komunat  e Perastit, Përçanit dhe të Dobrotës, u bënë qendëra të përhershme të lundrimit dhe tregtisë. Gjatë kësaj periudhe, Boka Kotorska  u fuqizua  me deri  300 anije që lundronin në oqean, dhe me po aq më të vogla për lundrim bregdetar. Në periudhën midis viteve 1482 e 1687, përkrah sundimit venedikas, pjesën veriperëndimore të gjirit, nga Hercegnovi deri në Risan, e mbanin turqit.   
Boka  Kotorska udhëhiqej nga  Austro-Hungaria nga viti 1797 deri më 1918, si pjesa më  jugore e perandorisë, me periudha të shkurta të sundimit nga Rusia (1806–1807), Franca (1807–1813) dhe nga një qeveri e përkohshme e përbashkët e Malit të Zi dhe Boka Kotorskës, që njihet si Komision Qendror (1813–1814). Më 1918, pas Luftës I Botërore, ajo u bë pjesë e Mbretërisë së Serbëve, Kroatëve dhe Sllovenëve – më vonë e njohur si Mbretëria e Jugosllavisë – dhe pas Luftës II Botërore pjesë e Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë. Pas shpërbërjes së RSF-së së Jugosllavisë, Boka Kotorska mbeti brenda Republikës Federale të Jugosllavisë, pastaj e Unionit Shtetëror të Serbisë dhe të Malit të Zi, ndërsa më në fund, në vitin 2006, ajo u bë pjesë e shtetit të pavarur të Malit të Zi.

Rajoni i Kotorrit 

Me një natyrë mjaft komplekse, bregdeti i Bokas është I populluar nga një sërë  vendbanimesh të ndara nga zona të kultivuara ose me peizazhe antike shkëmbore. Zona e Kotorrit përfshin  më shumë se dhjetë qytete dhe vendbanime të vogla ose të mëdha me tipare dalluese. Risani, ish-qendëra e kulturës Ilire dhe Helenistike e këtij Rajoni, ka ruajtur mbetjet ilire dhe helene, Kalanë kodrinore të Gradinës; mbetje nga qyteti romak i Rhizonit, përfshirë një vilë romake me mozaik nga shekulli 2 para Kr., si dhe gjurmë të ish-qytetit turk në qendër, përiferi dhe në mol.    

 

Ishulli Zonja Jonë e Shkëmbit
 
Nga shekulli 6 pas K. e më vonë, Kotorri zuri vendin e  Risanit si qytet prijës dhe qendër administrative e politike e Bokas. Kotorri shquhet për vazhdimësinë e  gjatë historike të tij. Zona urbane fillestare është e rrethuar me mure, një shembull unik i fortifikimeve në Adriatik. Muret 4.5 m të gjatë, midis 2 e 5 m të  gjerë dhe deri në 20 m të lartë, ndjekin një linjë natyrore në masivin e maleve të pjerrëta të Sveti Ivanit (Shën Xhovanit), në majë të të cilit është ngritur një kala e shek. 16. Qyteti i vjetër i Kotorrit është një rrjet rrugësh të ngushta gjarpëruese, të cilat lidhin sheshe me madhësi të ndryshme, rëndom në forma të çrregullta, por me tipare dalluese. Mbi tridhjetë kisha janë ruajtur ose janë dokumentuar të kenë ekzistuar në qytetin e vjetër. Gjashtë prej tyre që  i përkasin  periudhës romake,  kanë  një vlere të veçantë historike: Katedralja  e Shën Trifonit, Shën Lukës, Shën Anës, Shën Mari Kolegjiatës, Shën Palit  e Shën Mikelit. Për më tepër, qyteti krenohet  me një sërë pallatesh të familjeve të vjetra aristokrate  (Pima, Bizanti, Buća, Dragoja, Gërgurina, Vrakijeni etj.) dhe me ndërtesat publike.  
  Qyteti ka pasur Statusin e tij, datuar që më 1301, i shtypur në Venedik më 1616. Dikur një qendër mesjetare artizanësh, Kotorri ka një sërë dyqanesh piktoreske në fomë kubeje, me porta dhe dritare të bashkuara. Veçanërisht në periudhën mesjetare lulëzuan tregtia artistike dhe të tjera, që karakterizoheshin secila nga punishte te shumta. Ato ishin të organizuara në shoqata vëllazërore dhe mbështeteshin në burime të  brendshme, veçanërisht në ato të metaleve (argjendaritë dhe farkëtarët), të lëkurës dhe drurit. Shoqatat  ishin korporata  ekonomike si dhe organizata  fetare. Kotorri kishte një shoqatë vëllazërore  detarësh  (Marina Boka) që nga shekulli 9, e cila kontribonte  në mënyrë të konsiderueshme në jetën shoqërore të Kotorrit, duke u dhënë ndihmesë anëtarëve të vet dhe duke financuar dhe ruajtur vazhdimisht artin e kërcimit dhe kostumet kombëtare. Fides et Honor, motoja e Marina Boka, është një prej të dhënave   të identitetit kulturor të Boka Kotorskës  dhe e traditave e  zhvillimit të saj të hershëm. 

 

 

 
Kotorri ka pasur shkollë të ciklit të lartë fillor që nga periudha mesjetare, e hapur në fund të shekullit 13; farmacia e parë dhe shërbimi shëndetsor,  sipas dëshmive është hapur në 1326. Arkitektët, poetët dhe piktorët e këtij rajoni, luajtën një rol të rëndësishëm  në vend dhe më gjerë në kontekstin europiane, veçanërisht gjatë  periudhës mesjetare e në vazhdim. Në shek. 15 dhe 16, tipografët A. Paltašić dhe J. Zagurović  ishin aktiv, gjithashtu  ekspertë detarë me famë, jepnin mësime lundrimi në Perast nga viti 1698 e në vazhdim. Vetë qyteti i Kotorrit është një thesar arti dhe kulture:  altare mermeri me dizenjo të ndërlikuara, ikona, piktura me vlerë, punime artistike prej argjendi, objekte decorative dhe relike prej argjend të praruar, veshje priftërinjsh dhe qëndisma, fragmente afreskash – të gjitha dëshmojnë për ndërthurrjen e ndikimit të epokave kulturore dhe historike. Artefakte me vlerë dhe dokumente përfshirë  librat më të  vjetër noterial të Kotorrit që daton prej  1326, mbahen në muzetë, kishat, arkiva, kryesisht  në Muzeun Detar të Malit të Zi dhe në Arkivin Historik të Kotorrit.

Qendra të tjera

Gjatë shekujve 17 dhe 18, filluan të dominonin venbanimet bregdetare  të Perastit, Dobrës, Pranjit dhe Stolivit, por gjithësesi duke mbetur  të lidhur ngushtësisht me Kotorrin. Në këto vendbanime mbizotëron arkitektura laike e pallateve të ndërtuara në stilin barok. Perasti është një qytet bregdetar piktoresk, i shquar për kishat dhe ndërtesat e stilit  barok. Në qytet mbizotërojnë  kulla e kambanës së kishës së Shën Nikollës (shek. 17),  pallatet e detarëve të famshëm, tregtarëve, titullarëve të kishave dhe të qytetit, të cilat shtrihen përgjatë bregut.

 
Ndoshta pikat më të veçanta të Perastit janë dy ishujt e bukur që gjenden larg bregut të detit: ishullli natyror i Shën Gjergjit, me kishën e Benediktit (shek. 9); dhe Zonja Jonë e Shkëmbit (Gospa od Škrpjela), një ishull i bërë nga dora e njeriut, përmes  depozitimeve  të gurëve dhe nga fundosjet e anijeve të vjetra  të  mbushura  me gurë rreth një shkrëmbi  të vogël. Një rit tradicional i quajtur “Fašinada” praktikohet ende nga njerëzit e Perastit: çdo vit në 22 korrik ata sjellin gurë me varkat e tyre dhe i hedhin në det rreth ishullit për t’a përforcuar atë. Kisha (shek. 15–18) që mban të njëjtin emër qëndron mbi ishull, e zbukuruar me piktura të mrekullueshme nga Tripo Kokolja, një piktor i famshëm barok nga Perasti. Dobrota dhe Prčanji – ish-vendbanime detarësh, luftëtarësh dhe tregtarësh, të famshme për stilin e tyre barok (shek. 17–19), me ishat e Shën Markut (shek. 13 – 17) dhe Shën Eustacisë (shek. 18) në Dobrota, me koleksionin e çmueshëm të pikturave, zbukurimet artistike dhe ornamentet e argjendta; me kishën e Shën Thomai në Prčanj, që daton që nga shek. 9, dhe  Kishën  e mrekullueshme të  Zonjës Sonë (shek. 18). Krahina e Kotorrit përfshin edhe fshatrat e peshkatarëve Muo dhe Orahovac si dhe një varg vendbanimiesh rurale në pjesën e sipërme të gjirit (Gornji Stoliv, Morinj, Kostanjica, Škaljari). Disa nga këto vendbanime, si Gornji Stoliv, i paraprin zhvillimit të vendbanimeve bregdetare. Përveç vendndodhjes mbresëlënëse natyrore, thesareve arkeologjike dhe trashëgimisë së lëvizshme, Gjiri  Boka Kotorska  ka një trashëgimi të pasur jo materiale, si kërcimet e detarëve të Bokës, “Fašinada”, legjendat folklorike etj., ku të gjitha sëbashku krijojnë një peizazh kulturor të jashtëzakonshëm me vlera universale.